TIRANE- Në miratimin e buxhetit të shtetit që qeveria ka bërë dje, 93% e punonjësve të Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të pagës deri në 25 %. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka deklaruar këtë gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se kjo ka qenë paketa më e plotë e mbështetjes financiare dhe buxhetore e miratuar ndonjëherë në historinë e kësaj ministrie.<br /> <br />"Punonjësit e Policisë së Shtetit marrin pagën më të ulët sesa punonjësit e policisë në vendet fqinje për mos folur për vendet e BE sepse jemi shumë larg. Rreth 70% e punonjësve të policisë kanë të ardhura për frymë nën pagën minimale të vendit. Mund t'ju them se qeveria dhe kryeministri Rama dje kanë miratuar paketën më të plotë të mbështetjes financiare dhe buxhetore për Policinë e Shtetit në të gjithë historinë e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Dje është miratuar rritja e pagës për 93% të punonjësve të Policisë së Shtetit. Rritja e pagës konsiston në përfitimin nga taksa progresive me 5% dhe rritjen buxhetore nga 15-20%, pra rritje e pagës në masën 20 deri 25%. E shoqëruar kjo me një vendim që presim të merret në ditët në vijim lidhur me sigurimin e jetës dhe sigurimin shëndetësor të efektivëve të policisë. Në pemën strukturore të rritjes së pagave që me buxhetin vitit të parë kemi përmbushur më shumë se 60% të premtimit të qeverisë. Po rikthejmë nderin e punonjësve të policisë së shtetit në vend", u shpreh Ministri Tahiri.
